Pasditen e kësaj të premteje në studion e “Rudina” në Tv Klan ishte e ftuar shqiptaro-filipinezja Adile Hoxha. Ajo është mbesa e Daut Hoxhës, i cili ka qenë një protagonist në nisjen e luftës italo-greke.

Në studio ajo rrëfen kalvarin e vuajtjeve të të atit, i cili u arratis nga Shqipëria që në vitin 1946 dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës në Australi, aty ku ndërtoi dhe familjen. Pavarësisht largësisë e viteve që i rëndonin në supe, malli i tij për Shqipërinë nuk u venit kurrë.

Adilja tregon se i ati udhëtoi drejt Evropës në vitin 1986, por për shkak të regjimit komunist nuk mundte kurrsesi të hynte në Shqipëri. Mallin mund t’ia shuanin vetëm një palë dylbi, ku i ulur në Korfuz kundronte me sytë e mallëngjyer vendin e tij të lindjes.

“Ai jetonte në një kamp në Athinë, kaloi kufirin në Greqi në vitin 1946. Shkoi fillimisht në Greqi e më pas në Napoli dhe pastaj kishte vaporë që ishin për refugjatët nga Lufta e Dytë Botërore dhe shkoi në Australi. Ai shkoi në Australi dhe jetoi pjesën më të madhe të jetës. Nga viti 1946 dhe deri në vitin 1991 ai nuk pati mundësi që të vinte në Shqipëri. Kur u martua me mamin, ata erdhën një herë në Evropë, ndoshta nga viti 1986 dhe ai iku deri në Korfuz. Mori dylbitë, shikonte Shqipërinë dhe qante, ishte shumë afër dhe nuk kishte mundësi që të vinte në Shqipëri. Mami më tregonte që ai ndenji atje për disa orë dhe u kthye një ditë tjetër sërish për ta parë dhe vetëm qante”, tregoi Adile Hoxha./tvklan.al