Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Televizioni Kombëtar Klan aktualisht është televizioni me shikueshmëri më të madhe në të gjithë Shqipërinë. Sipas studimeve më të fundit, të kryer nga Institutit për Sondazhet dhe Opinioneve, TV Klan është zgjedhur nga teleshikuesit, si më i preferuari gjatë gjithë programeve të tij. Në sondazhin e zhvilluar një vit më parë TV Klan mbante vendin e dytë pas RTVSH, ndërsa këtë vit ka mundur çdo konkurrent, duke dalë dukshëm dhe me diferencë në vendin e parë. Këtë e pohon vetë drejtori i Institutit të Sondazhet dhe Opinioneve, zoti Adlej Pici.   

Adlej Pici:- Televizionet që kanë rezultatet më të mira në këtë sondazh, janë TV Klan, i cili në përmbledhjen e të gjithë shikuesve në të gjithë territorin, pra ne kemi matur 14 rrethe që janë rreth 65% e popullsisë shqiptare, rezulton televizioni më i parë në Shqipëri. Në vend të dytë është Televizioni Shtetëror, në vend të tretë është Top Channel, pastaj vijnë TVA, Vizion +, Telenorba, Telesporti, i cili ka arritur edhe ai një rezultat shumë të mirë. Tani, ky rezultat është se TVSH dhe Klani, janë dy kanalet që kapen pothuajse kudo në të gjithë territorin e Shqipërisë, pra kanë mbulimin më të madh në Shqipëri dhe ajo që është e rëndësishme në krahasim me studimin që është bërë vjet është se TV Klan ka kaluar TVSH, i cili ka qenë televizioni i famshëm, i parë kudo. TV Klan ka hyrë edhe në provincën shqiptare dhe është bërë televizioni më i parë nga popullsia shqiptare”.

Sondazhi është kryer nga data 2 Shtator deri më 2 Tetor të vitit 2002, në 807 familje në 14 rrethe të vendit, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Familjet u përzgjodhën nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, duke përzgjedhur shtresa të ndryshme të shoqërisë. Në familjet e përzgjedhura janë ndarë disa pyetësor për besueshmërinë e lajmeve dhe një ditar, për shikueshmërinë e televizioneve.

Sondazhi është kryer për të gjitha programet nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 2 pas mesnate, për 47 televizione në vend.

Adlej Pici:- “Katër të hënat komprimohen të gjitha bashkë dhe jepet si një e dhënë më vete, katër të martat si një e martë më vete, e kështu me radhë për gjithë ditët e javës. Kjo bëhet për një arsye fare të thjeshtë, që në këtë mënyrë i jepet më tepër vlerë atyre stacioneve që kanë programim”.

TV Klan ruan avantazh të dukshëm, në shikueshmërinë rekord të edicioneve informative të lajmeve, të emisionit politik Opinion, spektakleve artistike, si dhe premierave europiane të futbollit, si Champions League. Botimi luksoz i këtij sondazhi, prodhim i Institutit të Pavarur të Sondazheve dhe Opinioneve, financuar nga Instituti për zgjedhje të lira i USAID-it, sipas studiuesve është anketimi më serioz, më profesional dhe më i plotë bërë ndonjëherë, në një kohë kur konkurrenca është ashpërsuar më shumë se kurrë, por gjithsesi për momentin, kjo betejë është fituar nga TV Klan./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego