Mijëra punonjës të USAID-it nëpër botë do të pezullohen nga puna për një afat të pacaktuar, duke nisur nga e premtja. Vendimi është publikuar në faqen në internet të agjencisë së madhe amerikane që merret me menaxhimin e fondeve të ndihmës së Shteteve të Bashkuara për vendet ku luftohet varfëria.

Nga masa e pezullimit përjashtohen disa drejtues të lartë dhe të punësuar për misione të veçanta. Pjesës tjetër do i paguhet urgjentisht kthimi në Shtetet e Bashkuara. USAID ka 10 mijë të punësuar, 2/3 e të cilëve ndodhen në më shumë se 100 vende të botës.

Administrata Tramp vendosi gjatë kësaj jave pezullimin e punës të kësaj agjencie dhe kalimin nën administrimin e përkohëshëm të Departamentit të Shtetit pasi e akuzoi se vitet e fundit kishte shpërdoruar miliona Dollarë fonde me projektet që kishte mbështetur nëpër botë.

Sekretaria për shtyp e Presidentit Tramp tha se paratë e taksapaguesve amerikanë ishin shpërdoruar nga USAID në mbështetje të atyre që i konsideroi “projekte mediokre” për transgjinorët.

Miliarderi Ilon Mask i ngarkuar nga Tramp për identifikimin e shpërdorimeve të gjithë administratës, vlerësoi se USAID me një aktivitet prej viteve ’60, duhej mbyllur pasi nuk mund të rigjenerohej më, por ende nuk është marrë një vendim.

Tv Klan