29 këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë që ushtruan detyrën pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke kryer vetingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve kërkojnë të përfshihen në sistemin gjyqësor.

Me anë të një shkrese, drejtuar Kuvendit, Komisionit për Çështjet Ligjore, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrave dhe ambasadës së SHBA e BE-së, ata kërkojnë ndryshime ligjore dhe qartësimin e statusit të tyre tashmë që mandati i KPK-së përfundoi.

Duke renditur eksperiencën në relacionet për secilën çështje të shqyrtuar nga KPK për 806 magjistratët, rolin si këshilltarë ligjorë dhe faktin që hoqën dorë gjatë kësaj detyre edhe nga privatësia, ata kanë bërë tre propozime.

Njësia Ligjore e KPK: Propozohet që të gjithë këshilltarët ligjorë që kanë ushtruar detyrën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas mbarimit të mandatit të institucionit të kenë të drejtën të pranohen në programin e formimit fillestar të profilit “gjyqtar/prokuror” të Shkollës së Magjistraturës pa iu nënshtruar konkurrimit. Propozim për punësimin e stafit të Njësisë së Shërbimit Ligjor pranë institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar; në pozicione të barazvlefshme pranë KLGJ-së, KLP-së, ILD-së, ILDKPKI-së ose pranë Departamentit të Administratës Publike.

Më herët, ndryshime ligjore për të pasur mundësi të jenë pjesë e sistemit gjyqësor kanë bërë edhe 12 komisionerët e KPK. Kërkesa e tyre ende nuk ka marrë një përgjigje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Tv Klan