Prokuroria e Posaçme dha detaje të reja në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, duke bërë publik faktin se 20 milionë Euro të alokuara për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, u përvetësuan nëpërmjet mashtrimit dhe më pas u pastruan nga një grup personash që nga fitimi i konçensionit.

Në përmbyllje të fazës së dytë të hetimeve për këtë dosje, SPAK shpalli në kërkim 8 persona të tjerë, ndaj të cilëve janë ngritur akuzat e mashtrimit dhe pastrimit të parave duke vepruar si një grup kriminal.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro, të ndara konkretisht në shumat prej: 1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ; 9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro”.

Në krye të skemës së mashtrimit dhe pastrimit të parave, hetuesit thonë se janë dy biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e kompanisë që fitoi konçensionin, te cilët janë në arrati.

Sipas SPAK, ata kanë bashkëpunuar me 8 personat e shpallur në kërkim javën e kaluar, Dashamir Ymeraj, Ilir Dedja, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Denisa Tollkuçi dhe 3 shtetas të huaj, Giozeppe Ciaffaglione, Marc Lapat, Michael Druijts.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, aktiviteti kriminal i pastrimit të parave rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal.

Këta persona kanë marrë vlera monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive.

Këto fatura lëshoheshin nga shoqëri fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit dhe më pas vlerat monetare tërhiqeshin cash.

SPAK ngriti akuzat per  “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose  veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Kjo strukturë bëri po ashtu të ditur se policia nuk ka mundur të ekzekutojë asnjë nga urdhër – arrestet, pasi nuk ka mundur t’i gjejë të akuzuarit.

Për këtë dosje nën hetim janë edhe disa ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisti dhe Bashkisë së Tiranës me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën dhe korruptuar në dhënien e konçensionit për ndërtimin e inceneratorit.

PERSONAT E SHPALLUR NE KERKIM

Dashamir Ymeraj

Ilir Dedja

Denisa Tollkuçi

Endrit Habilaj

Renardo Nallbani

Giozeppe Ciaffaglione

Marc Lapat

Michael Druijts


Tv Klan