Një avion i linjës Lion-Stamboll ka bërë ulje urgjente në aeroportin e Rinasit në Tiranë pasi një afgan 40-vjeçar, i cili ndodhej në bord ka prerë damarët me brisk gjatë fluturimit.

Pasi avioni i modelit “Boeing 737” është ulur në Rinas, janë njoftuar shërbimet e emergjencës të cilët e kanë dërguar afganin në spitalin e Traumës.

Sipas bluzave të bardha, ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Referuar burimeve, afgani ishte i pajisur me pasaportë franceze.

Afgani po merr shërbimin mjekësor në spitalin e Traumës, ndërsa akoma nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti nga ana e tij.

Ndërkohë, udhëtarët e tjerë kanë vijuar fluturimin për në Stamboll pas uljes emergjente në aeroportin e Rinasit.


Rinas/Informacion paraprak:

Rreth orës 14:30, në aeroportin “Nënë Tereza”, ka bërë ulje të detyruar, avioni i linjës “Lion-Stamboll”, me të cilin udhëtonte shtetasi afgan M. N., 40 vjeç, pasi ky shtetas ka dëmtuar damarët e dorës me brisk (mjet rroje), gjatë fluturimit me avion.

40-vjeçari është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe aktualisht është në gjendje kritike për jetën.


/tvklan.al