Në Ciutadella të Barcelonës jeton një emigrant 20-vjeçar jeta e të cilit nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë. I ardhur nga Mali, mijëra kilometra larg, ai u përball me shumë sfida ku iu largua luftës dhe militantët islamikë i zhdukën familjen.
I gjendur i vetëm, i riu i paketoi valixhet për një udhëtim të rrezikshëm dy-vjeçar që përfundimisht e solli në Spanjë, ku tani po kërkon azil. “Kam udhëtuar dy vjet, dhe jam larguar për shkak të luftës. Humba prindërit, më duhej të kërkoja se ku të shkoja. Mendoj se të gjithë kanë vdekur. Ditën që u largova nga fshati, pati një sulm tjetër, të gjithë e dinin se kishin ardhur terroristët”.
Ashtu si në fshatin e emigrantëve të rinj, xhihadistët goditën kryeqytetin e Malit, Bamako, pak para agimit rreth tre javë më parë. Ata vranë dhjetëra studentë në një akademi, sulmuan aeroportin e Bamakos dhe i vunë flakën avionit presidencial. Sulmi i 17 shtatorit ishte më i madhi që nga viti 2016 në në Sahel, një rajon i gjerë që shtrihet në të gjithë Afrikën Sub-Sahariane. Emigranti identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur tregoi se grupet xhihadiste me lidhje me Al Kaedën ose Shtetin Islamik ka vrarë mijëra civilë dhe kanë zhvendosur miliona në Burkina Faso, Mali dhe Nigeri.
Megjithëse i lënë në hije nga luftërat në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Sudan ky konflikt po kontribuon në një rritje të migrimit nga rajoni drejt Evropës. Në të njëjtën kohë partitë e së djathtës ekstreme anti-imigrante janë zotuar për rregulla më të ashpra dhe disa shtete të BE-së po vendosin masa shtrënguese për kufijtë e tyre.
“Unë kam monitoruar mediat sociale xhihadiste për 19 muaj, që nga 22 dhjetori (2022) deri më 24 qershor (2024). Në 22 dhjetor, ne kishim 38 sulme të regjistruara. I gjithë Saheli dhe në maj kishte 151 sulme. Pra, kjo është një rritje prej 400%. Situata po përkeqësohet nga muaji në muaj”.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të OKB-së, rruga për në Evropë po sjell një numër gjithnjë e më të lartë të emigrantëve të paligjshëm për në Ishujt Kanarie të Spanjës. Të dhënat tregojnë se numri i emigrantëve që mbërrijnë në Evropë nga vendet e Sahelit (Burkina, Çadi, Mali, Mauritania, Nigeria dhe Senegali) u rrit 62% në 17,300 në 6 muajt e parë të 2024 nga 10,700 në 2023
Diplomatë dhe ekspertë jane shprehur për “Reuters” se territoret nën kontrollin e xhihadistëve rrezikojnë të bëhen terrene trajnimi dhe pikënisje për më shumë sulme ndaj qyteteve të mëdha si Bamakodhe objektivave perëndimore, në rajon apo më gjerë. “E gjithë kjo situatë në ato vende është e rrezikshme që nga grushtet e shtetit. Gjithçka që kishim atje për ruajtjen e paqes, si për shembull, Misioni i Integruar i Kombeve të Bashkuara në Mali janë penguar.”
Dhuna xhihadiste, ishte një faktor kryesor në valën e grushteve të shtetit që nga viti 2020 kundër qeverive të mbështetura nga perëndimi në Burkina Faso, Mali dhe Niger, vendet në zemër të Sahelit. Juntat ushtarake që i zëvendësuan ato kanë shkëmbyer që atëherë ndihmën ushtarake franceze dhe amerikane për rusët, kryesisht nga grupi mercenar i Ëagner-it. “Regjimet ushtarake në rajon, kanë qenë shumë kufizues në lejimin e aksesit ndaj OJQ-ve dhe organizatave humanitare. Disa prej tyre madje janë kritikuar. Dhe kjo përfshin, si, vëzhguesit nga OKB të vendosur në këto vende, si Burkina Faso, për shembull”.
Fuqitë perëndimore që investuan më parë në përpjekjen për të mposhtur xhihadistët, kanë shumë pak në terren, veçanërisht pasi junta në Niger urdhëroi SHBA-në vitin e kaluar të largohej nga një bazë e madhe e dronëve në shkretëtirë në Agadez. Trupat amerikane dhe Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) përdorën dronë për të gjurmuar xhihadistët të cilët nisën sulmet ajrore kundër militantëve dhe ushtritë e Afrikës Perëndimore. Por amerikanët u dëbuan pasi zemëruan udhëheqësit e grushtit të shtetit të Nigerit duke refuzuar të ndajnë informacione dhe duke i paralajmëruar ata që të mos punojnë me rusët. “Edhe nëse gjatë periudhave të caktuara, aktet bëhen më të vogla në numër, ato janë më vdekjeprurëse. Pra, viktimat po rriten. Dhe nëse shikojmë Malin, Burkina Fason dhe Nigerin, të gjitha këto vende janë në rrugën e duhur këtë vit që ai të bëhet më vdekjeprurës. Unë mendoj se situata e sigurisë është duke u përkeqësuar“.
Një analizë e “Reuters” e të dhënave të ACLED (organizatë që merret me të dhënat e ngjarjeve të konflikteve të armatosura) zbuloi se numri i rasteve të dhunshme që përfshijnë grupe xhihadiste në Burkina Faso, Mali dhe Niger është dyfishuar që nga viti 2021. Që nga fillimi i këtij viti, ka pasur mesatarisht 224 sulme në muaj, nga 128 në 2021.
Insa Moussa Ba Sane, koordinatore rajonale e migracionit dhe zhvendosjes së popullatës për Federatën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, shprehet se konflikti ishte një faktor kryesor per rritjen e migrimit nga brigjet e Afrikës Perëndimore.”Eshtë e rëndësishme të fokusohemi tek shkaqet, në arsyet pse njerëzit largohen. Dhe fenomenet ose aspektet e para që i shtyjnë njerëzit të largohen janë pasiguria dhe konflikti”.
Në Burkina Faso, ndoshta më i prekuri nga të gjithë, xhihadistët e lidhur me Al Kaedën masakruan qindra civilë brenda një dite më 24 gusht në qytetin Barsalogho, dy orë larg kryeqytetit Ouagadougou. Instituti për Ekonominë dhe Paqen (IEP) në Sidnei bën të ditur se Burkina Faso kryesoi Indeksin e saj të Terrorizmit Global për herë të parë këtë vit, me vdekjet që u rritën me 68% në 1,907 – një e katërta e të gjitha vdekjeve të lidhura me terrorizmin në mbarë botën.
Rreth gjysma e Burkina Fasos tani është jashtë kontrollit, ka deklaruar OKB-ja, një faktor që kontribuon në rritjen e shkallës së largimeve nga vendi. Një panel ekspertësh të OKB-së që monitoron aktivitetet terroriste tregon se fraksioni më aktiv i lidhur me Al Kaedën në Sahel, kishte 5000-6000 luftëtarë ndërsa 2000-3000 militantë ishin të lidhur me Shtetin Islamik. Xhihadistët përdorin shërbimet bazë, duke përfshirë gjykatat lokale, për të instaluar sistemet e tyre të qeverisjes mbi komunitetet rurale. Grupet xhihadiste veprojnë në zona të ndryshme, ndonjëherë duke luftuar me njëri-tjetrin thonë raportet nga ekspertët e OKB-së. Ato marrin mbështetje financiare, trajnime dhe udhëzime nga lidershipet e tyre përkatëse globale, por gjithashtu mbledhin taksa në zonat që ata kontrollojnë.
“Nuk mund të presim një ulje të flukseve migratore. Konfliktet janë të përsëritura, po ashtu po intensifikohen efektet e ndryshimit klimatik, një arsye tjetër për largime”.
Qeveritë evropiane janë të ndare në qëndrimet për konfliktin. Vendet e Evropës Jugore që pranojnë shumicën e emigrantëve favorizojnë mbajtjen hapur të komunikimit me juntat, ndërsa të tjerët kundërshtojnë për shkak të shqetësimeve të të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Edhe nëse Evropa do të binte dakord për një qasje të përbashkët, asaj i mungon kapaciteti ushtarak dhe marrëdhëniet politike për të ndihmuar, sepse vendet në Afrikën Subsahariane nuk duan kontributin perëndimor.
Klan News