Më shumë se 10,000 emigrantë kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të arritur në Spanjë në vitin 2024, sipas një raporti të publikuar nga grupi spanjoll për të drejtat e emigracionit Caminando Fronteras.
Rruga e emigrimit të paligjshëm nga brigjet e Afrikës Perëndimore në Ishujt Kanarie të Spanjës, e përdorur zakonisht nga emigrantët afrikanë ka parë një rritje këtë vit, me 41,425 mbërritje në periudhën janar-nëntor, duke tejkaluar tashmë rekordin e vitit 2023 ku mbërritën 39,910 emigrantë.
Ministria e Brendshme e Spanjës raporton se mbi 57,700 emigrantë mbërritën në vend deri më 15 dhjetor të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Konfliktet në rajonin e Sahelit që përfshin Malin, papunësia dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike në komunitetet bujqësore janë ndër arsyet pse njerëzit tentojnë emigrimin e paligjshëm, që në shumë raste rrezikohet edhe jeta.
Raporti specifikon se 1,538 fëmijë dhe 421 gra ishin në mesin e viktimave. Shumë emigrantë, përfshirë gratë, përjetojnë gjithashtu dhunë, diskriminim, racizëm, dëbime duke mbijetuar në kushte ekstreme përpara se të largohen, thuhet në raport.
Caminando Fronteras thekson gjithashtu se një rritje e madhe e emigrantëve vijnë kryesisht nga Mauritania. Në shkurt, Spanja premtoi 210 milionë euro ndihmë për Mauritaninë për të ndihmuar në frenimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe parandalimin e nisjes së anijeve.
Klan News