Me përfundimin e luftës, familja e Enverit u kthye në Kosovë për të rindërtuar fshatin. Në Shqipëri kishin lënë një pjesë të zemrës te një familje në Librazhd që i mirëpriti e iu gjend pranë me gjithçka mundi.
Enveri, ushtari i UÇK-së që ka ardhur sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, thotë se nevoja më urgjente ishte të rindërtonin fshatin. Përgjatë këtyre viteve e deri më sot, pavarësisht mirënjohjes së madhe për familjen Shkurti, nuk kanë mundur dot të takohen.
Enver: Më 21 tetor 1999 neve na ndodhi një tragjedi. Vëllai jonë i vogël që kishte qenë refugjat në familjen Shkurti, bie në mina së bashku me një kushëri tonin dhe një bashkëqytetar. Vëllai im ka qenë 14 vjeç, kushëriri ka qenë 12 vjeç ndërsa ai bashkëvendasi tjetër ka qenë 16. Duke luajtur, ajo ka shpërthyer. Nga ai moment, ndryshoi edhe jeta jonë sepse çdo ditë, qëkur jemi kthyer në shtëpi e deri më 21 tetor, babai im s’ka patur natë e mbrëmje që nuk ka bërë bisedë për familjen Shkurti. Edhe kur bënte nëna e kunata darkën, thoshte këtë ushqim e kemi ngrënë në Librazhd, e lidhte gjithmonë sepse kishin kaluar jashtëzakonisht mirë. Nga ajo datë, ndryshoi rrjedha e historisë së familjes tonë sepse ne menduam që më 13 qershor u çliruam dhe do të jetë gjithçka e bardhë. Përkundrazi vazhduan shumë tragjedi. Pasi vdiq vëllai, babai diagnostikohet me sëmundjen e kancerit. Pas shumë trajtimeve, në 2005 edhe ai ndërroi jetë. dilte një pengesë që ne mos të arrijmë të shkojmë për vizitë, ta falenderojmë sepse kur kishim nevojë ne më së shumti, ata iu gjendën pranë.
Ardit Gjebrea: Më pas edhe vetë familjes Shkurti iu mësuat që kishte ndodhur një tragjedi.
Enver: Edhe familjes Shkurti u ndodhi një tragjedi në 2018. Djali i Jakup Shkurtit dhe nusja e tij ndodhi një aksident në Greqi dhe humbin jetën. Prapë, edhe në atë kohë, ne nuk mundëm të shkonim për ngushëllime, nëna jonë ishte me sëmundje nga zemra në spital./tvklan.al