Agjentët e Byrosë Kombëtare të hetimit në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kanë shkuar në orët e para të mëngjesit të së premtes në banesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.

Burime konfirmojnë se agjentët nuk kanë hyrë në banesë por kanë sekuestruar vetëm celularin e bashkëshortes së krybashkiakut, Ajola Xoxa. Po ashtu është ushtruar kontroll edhe në shoqërin Harabel dhe ambiente të tjera. SPAK ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ketë çështje.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment.”

Prokurori që ka firmosur kontrollet është Ols Dado, ky i fundit është duke drejtuar hetimet për çështjen e pasurisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Klan News ka kontaktuar avokatet mbrojtëse të Ajola Xoxës, që janë shprehur se mund të reagojnë në një moment të dytë në lidhje me ketë çështje.

Klan News