Pas përfundimit të seancës së Parlamentit ditën e sotme, ku u votuan ndryshimet e reja në qeveri, gjatë një prononcimi për mediat deputeti i PD për qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka bërë një apel për situatën e zjarreve në Shëngjin dhe zonat përreth.
Ai është shprehur se situata është shumë e rëndë, pasi rrezikohen seriozisht jeta e banorëve, pronat dhe investimet e bëra.
“Kam një gjë shumë të rëndësishme të ndaj me ju. Unë jam deputet i Lezhës, i zonës së Shëngjinit, kam qenë sot në Shëngjin, atje situata është dramatike dhe druaj e kam shumë frikë, por nuk uroj kurrë që të bëhet tragjike sepse është në rrezik jeta e njerëzve, prona e miliona investime në zonën e Ranës së Hedhun, por mbi të gjitha gjendja shpirtërore dhe emocionale nga rreziku i madh. Kam tre ditë që përpiqem me modesti të sensibilizoj qeverinë, pushtetin lokal për të ndërhyrë, por nuk është marrë seriozisht. Qeveria ka qenë mjaft e zënë për të ndezur zjarrin e propagandës kudo në Shqipëri, por është e paaftë për të fikur zjarrin real që po rrezikon realisht zonën e Shëngjinit dhe të Pllanës ku ka shpërthyer nju zjarr tjetër, apo një tjetër pak më larg në Torovicë,” tha Agron Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj gjithashtu u shpreh se duke përfituar nga rasti i kësaj deklarate bëri një thirrje për kryeministrin dhe pushtetin vendor që të apelojnë vendet fqinje për të siguruar mjete ajrore që do të ndihmojnë në fikjen e vatrave të zjarrit. Ai nuk përjashtoi as faktin se këto zjarre mund të jenë vënë qëllimisht nga “një dorë”, që sipas tij ka synime të tjera në të ardhmen.
“Përfitoj nga prezenca juaj për t’i bërë apel kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes të ndërhyjnë, të apelohen vendeve fqinje që të kemi mjete ajrore për ta shuar këtë zjarr në mënyrë që banorët e Lezhës dhe të Shëngjinit të fitojnë sigurinë që meritojnë. Po ashtu dua që të falënderoj të gjithë punonjësit e zjarrfikësve që janë atje dhe që po përballen, forcat e policisë dhe banorët që po mundohen me mjete rrethanore aq sa munden. Pushteti ende sot është i munguar dhe jo prezent në këtë fatkeqësi natyrore, që mbase nuk është edhe aq natyrore, mund të jetë edhe një dorë që vë zjarre që të bëhen ndërtime nesër, këtë t’ia lemë kohës. Por nuk dua që të mendoj skenarë kaq makabër, thjesht jam këtu për të apeluar qeverinë, ministrat pushtetin lokal të jenë pranë banorëve të Shëngjinit”, tha ai./tvklan.al