Nënkryetari i Parlamentit dhe deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ka lënë ambientet e spitalit, pasi humbi ndjenjat pasditen e së hënës në marshimin e opozitës, të mbajtur në disa akse të kryeqytetit.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, bën me dije se policia i qëndron versionit të saj se nga ana e tyre nuk ka patur përplasje me deputetin e opozitës dhe nuk është goditur nga asnjë punonjës i forcave blu, ndryshe nga reagimi i opozitës.

Rezulton se vetë Gjekmarkaj nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.

Pas daljes nga spitali, deputeti Agron Gjekmarkaj ka reaguar publikisht, duke thënë se u ndje keq si pasojë e veprimeve të policisë, që sipas tij, “gati e ngritën në ajër”.

Deputeti ishte i pozicionuar në “Pallatin me Shigjeta”, aty ku u ndesh me ndërhyrjen e forcave policore, duke ndjerë shqetësime me frymëmarrjen.

Ai u paraqit menjëherë në Spitalin e Traumës për të marrë shërbimin e menjëhershëm shëndetësor.

Reagimi i deputetit Agron Gjekmarkaj:

Nuk do të kisha reaguar, për çfarë ndodhi dje me mua në protestë, nëse Policia e Shtetit nuk do më fyente së dyti me deklaratën e vetë publike dhe dizinformuese!

Nuk e pëlqej, madje as e kërkoj viktimizimin! Madje kurrë në jetën time nuk kam kërkuar dhe as nxitur ballafaqime fizike! Nuk kam sulmuar asnjëherë askënd! Dje thjesht jam mbrojtur. I gjendur para një makine të vogël bashkë me shoqëruesin tim, punonjës i gardës, i cili u keqtrajtua gjithashtu, ndonëse u tregoi edhe  dokumentin identifikues, u rrethova nga një grup i madh policësh! Ju thashë mos më prekni, jam Agron Gjekmarkaj, Nënkryetari i Kuvendit të Republikës, deputet, pedagog universiteti, me butësi, gati me humor. Nuk shquhem për forcë fizike, nuk bëj palestër, ndaj bëni kujdes! Me shtynë brutalisht, me shumë forcë, thyen edhe pasqyrën e veturës duke më ngritur gati në ajër! Më tërhoqi shoqëruesi me shumë mundim dhe një djalë nga Lezha përmes policëve, teksa ndjeja frymëmarrjen që po më ngadalësohej! Sapo dola nga turma e policëve duke më tërhequr të tjerët  humba ndjenjat! Nuk u ndjeva keq se kisha probleme me shëndetin, por si pasojë e veprimeve të policisë! Nuk u largova nga protesta se desha të largohem, por më detyruan, nuk u largova për të shkuar në kafe apo shtëpi, por në spital!

Më ka mbetur në kujtesë egërsia në shikim e dy tre oficerëve të policisë, zelli i tyre si dikur motit kur arrestoheshin deputët e opozitës në 1946. U dukej e padrejtë që dikush guxon të protestojë kundër pushtetit të tyre se ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune! Gjithsesi, ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik!

Përfitoj nga ky rast i trishtë të falenderoj të  gjithë ata që mu gjendën pranë, protestuesit, demokratët e qytetarët e Lezhës, drejtuesit dhe deputetët e PD, mjekët e spitalit ushtarak dhe ata të QSUT për ekzaminimet dhe shërbimin. Falenderoj qindra miq e të njohur nga vendi e bota për atë lum mesazhesh që kam marrë prej tyre, ende në pamundësi për tu kthyer përgjigje individualisht!

Shpreh keqardhje të thellë për të gjithë të lënduarit e të ndaluarit, të cilët përpiqen për një Shqipëri më të mirë që nuk e morën vëmendjen që mora unë! Ne nuk kemi frikë!

Sot jemi në vigjilje të Krishtlindjeve! Qofshin ato të bardha për ju dhe të gjithë shqiptarët! Të tjerat do të jenë më të mira!

Agron Gjekmarkaj

/tvklan.al