Policia e Shtetit ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për dhunë ndaj nënkryetarit të PD Agron Gjekmarkaj. Përmes një reagimi zyrtar, thekson se ky i fundit nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por është larguar nga protesta pasi nuk është ndjerë mirë.
“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë. Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.”
Më tej, uniformat blu dënojnë aktet e dhunshme të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Flamur Noka.
“Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.”
Në përfundim bën me dije se të gjithë ata që kundërshtuan urdhrin e efektivëve, do të procedohen sipas ligjit.
“Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”, njofton Policia.
/tvklan.al