Sëmundja e demencës, e përhapur aq shumë vitet e fundit duket se po njeh zhvillime në diagnostikimin e hershëm të saj. Studiuesit skocezë po punojnë për një mjet të ri të AI (Inteligjencës Artificiale)  që mund të përdoret nga qendrat optike për të dalluar shenjat e hershme të kësaj sëmundje.

Pamje të retinës në pjesën e pasme të syrit mund të japin një tregues të shëndetit të trurit dhe duke përdorur programin e “AI” për të analizuar informacionin, shkencëtarët mund të jenë në gjendje të dallojnë shenjat e sëmundjes përpara se të shfaqen simptoma.

Ekipi hulumtues NeurEYE ka mbledhur pothuajse një milion skanime të syve nga optikët në të gjithë Skocinë, dhe me ndihmën e “AI” ka zhvilluar një algoritëm që mund të vlerësojë shëndetin e enëve të gjakut në sy.

Baza e të dhënave që ekipi ka krijuar mund të aplikohet në pamjet e marra gjatë ekzaminimeve rutinë të syve dhe mund të përdoret përfundimisht ose për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes, ose për të diagnostikuar sëmundjen në një fazë shumë më të hershme sesa mund të zbulohet aktualisht.

Baljean Dhillon, profesor i Oftalmologjisë Klinike në Universitetin e Edinburgut dhe bashkëdrejtuesi i NeurEYE, tha se syri mund të na tregojë shumë më tepër nga sa ne mendojmë se  është e mundur, pasi retina mban një pasuri të tërë informacioni dhe është një barometër biologjik i shëndetit të trurit tonë.

Ekipi që qëndron pas projektit shpreson të ketë një prototip përgjatë këtij viti me një shtrirje më të gjerë të teknologjisë tek optikët në të gjithë vendin në vitin 2026./tvklan.al