Në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan mëngjesin e kësaj të enjteje, duke folur për sëmundjet e kujtesës, neurologia Entela Basha renditi disa prej arsyeve kryesore që e shkaktojnë atë. Të konsideruara si sëmundjet e 20 viteve të fundit për shkak të shkallës së lartë të të prekurve, demenca dhe Alzheimer përfshijnë një gamë të gjerë çrregullimesh dhe kushtesh që ndikojnë në aftësinë për të mbajtur mend, rikujtuar apo përpunuar informacionin.

Përveç aspektit teorik, vështirësitë më të mëdha të kësaj sëmundjeje i ndjejnë personat e prekur dhe familjarët që kujdesen për ta, që në të njëjtën kohë kanë një ngarkesë të shtuar psikologjike.

Ndërsa Entela Cenko, eksperte e ushqimit, në program ndau pak nga sfidat me këtë sëmundje. Diplomimi i saj në këtë fushë nuk lidhet thjesht me pasionin apo ëndrrën, arsyeja kryesore ishte dhe nëna e saj, e cila para 3 vitesh u diagnostikua me Alzheimer. Fillikat e vetme ajo tregon vështirësitë që has për kujdesin ndaj të ëmës, e cila njëkohësisht është dhe tetraplegjike.

“Përveç faktit që më ka rënë si siklet në familje, unë sapo kam mbaruar studimet për sistemet ushqimore. Ka qenë një fati im, Komiteti Europian arriti të bëjë një projekt këtu për këtë gjë, jam lidhur me një institut kërkimor të Romës, gjithmonë në lidhje me mamin. Hap pas hapi, duke qenë se jam shumë e kujdesshme në mënyrën e ushqimit kanë arritur në një përfundim që aktorët kryesorë janë dhe ushqimi. Por, nuk është një dietë, është një regjim ushqimor shumë i rregullt. Problemin e familjes time është se unë jam vetëm dhe kam një rëndesë psikologjike. Unë mundohem që mëngjesin ta kem shumë të kujdesshëm për të, drekën nuk e fus kurrë në frigorifer që të kontaminohet ushqimi. Televizorin e lë vetëm në gjuhën shqipe, që të kujtohet. Sepse ajo nuk është se vetëm vuan nga kujtesa, ajo është dhe tetraplegjike. Nuk flet, nuk ecën, por shikimin e ka shumë të mirë dhe kupton “gjuhën e syrit”. Ime më pëson shumë patologji të ndryshme, sepse janë pjesë e degjenerimit, por mundohem të jem e kujdesshme tek pjesa e kujdesit. Nuk është vetëm kujdesi tek ushqimi, por dhe tek higjiena. Sepse një person që nuk mund të ecë, ka vështirësi në higjienë. Kujdesi në mënyrën se si e shtrijmë. Është shumë komplekse dhe unë mundohem që të kujdesem. Bashkë me mjekët jemi munduar që të kujdesemi që të mos agravojë si sëmundje e kam të vështirë, por ja ku jemi”, tregoi ekspertja e ushqimit./tvklan.al