Nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve të marra në aksident një 19-vjeçar shqiptar, banor në Arzignano. I riu shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u aksidentua të dielën teksa udhëtonte me shokët në një makinë tip Lancia.
Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 10:00 të së dielës teksa makina e mbushur me shokë po shkonte drejt Venezia-s. Gjendja shëndetësore e të riut ishte e rëndë, edhe pse për forcat e shpëtimit që ndërhynë në vendin e ngjarjes, përplasja nuk dukej aq e fortë. Por të hënën, zemra e 19-vjeçarit pushoi së rrahuri.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar dinamikën e ngjarjes. Ata u lajmëruan nga një motorist, i cili ka dëshmuar me sytë e tij përplasjen. Në makinë në momentin e ngjarjes ndodheshin 5 persona, të gjithë shokë me njëri-tjetrin.
Sipas dyshimeve paraprake, shoferi ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë në këtë mënyrë nga rruga dhe më pas është përplasur me një barrierë betoni.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, përplasja nuk ka qenë shumë e fortë, por gjithsesi i ka shkaktuar dëme të rënda 19-vjeçarit shqiptar.
Për këtë arsye dyshohet se shkak i aksidentit mund të jetë bërë përgjumja e tij gjatë drejtimit të mjetit ose ndonjë sëmundje e papritur. Megjithatë detaje të tjera dhe të sakta pritet që të dalin në ditët në vijim.
Ndërkohë katër shokët e shqiptarit ndodhen në spital. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe nuk paraqiten në rrezik për jetën./tvklan.al