“Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se herozimi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin,
kështu shprehet kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke komentuar deklaratat e bëra nga Kryeministri Edi Rama këtë të hënë.
Në një postim në rrjetet sociale,
Basha thotë se koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Saimir Tahiri
, aq sa sipas kreut të PD,
edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëherë.
“Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen”,
thekson Basha, ndërsa më tej shkruan: “
Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin e Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave. Prandaj, ata që presin që me aksionin e tij Rama të arrestojë Balilin do të zhgënjehen. Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë është vëllai i Fatmir Xhafës, por ata që presin që aksioni i Ramës ta arrestojë atë do të zhgënjehen, gjithashtu”.
Për Bashën,
“aksioni i Edi Ramës do të arrestojë ca fshatarë të varfër dhe ca kriminelë të vegjël. Kriminelët e vërtetë do të qeverisin vendin së bashku me Ramën. Derisa populli t’i largojë”.
Nga mbledhja e Task Forcës, Kryeministri Rama tha se policia disponon çdo informacion dhe emra konkretë të grupeve kriminale të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, ndërsa njoftoi nisjen e një operacioni kombëtar kundër kanabisit. /tvklan.al