Një shfaqje teatrale do të ngjitet në skenën e Teatrit ArTurbina më 7 Shkurt. “Galaksia” quhet shfaqja në qendër të së cilës qëndron një piktore e jazhtëzakonshme, Galaksia. Për të folur për këtë shfaqje i ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan ishte aktori Neritan Liçaj.
Ai ka folur për këtë shfaqje të veçantë, por edhe për një tjetër rol që do të luajë në filmin “Gjirokastra”, pikërisht rolin e diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës.
Ka romancë dhe dramë, pasi filmi trajton temën e ashpërsisë me të cilën diktatura goditi familjet e krijuara mes martesave ruso-shqiptare. Prej 40 ditësh, qyteti i gurtë u kthye në sheshxhirim, ku artisti i famshëm rus, Juri Arabov, bashkëautor me shkrimtarin Ismail Kadare, realizuan skenarin që mban emrin e qytetit të tij lindjes.
Neritan Liçaj: Unë e mbaj mend shumë mirë, kur diktatori Enver Hoxha ndërroi jetë. Kam përshtypjen që ndjesitë janë shumë të forta dhe për këtë jam i përgatitur. Në fakt ne na është ndaluar nga produksioni dhe me të drejtë, për t’u shprehur për këtë figurë sepse ndonjëherë media nga dëshira e lajmit ndonjëherë krijojnë keqkuptime. Nuk është një film për diktatorin Hoxha, jo është një histori njerëzore. Ata që janë të rritur në moshë e mbajnë mend shumë mirë që ka pasur shumë çifte shqiptaro ish-kampi socialist, të cilët në një moment kur u prishën me rusët, ata pësuan goditjen më të madhe, që në fund fare ishin jetë njerëzore të pafajshme dhe u masakruan. Pra merret me fatet njerëzore.
Ngjarjet e filmit lidhen me vuajtjet që kaluan me dhjetëra familje shqiptaro-ruse, pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961. Filmi artistik shqiptaro–rus vjen nga bashkëpunimi i producentëve Loreta Mokini dhe Ella Arkangelskaia. Në qendër të historisë është një arkeolog shqiptar, që dashurohet me një nga vajzat ruse, që Kadareja në mënyrë simbolike i ka emërtuar “Sorkadhet e trembura”. /tvklan.al