Sajesa i cilësoi Kryeministri Edi Rama akuzat e kryedemokratit Sali Berisha dhe opozitës ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Në një reagim në rubrikën ‘Çkemi ndonjë të re?’, në rrjetet sociale, Rama mohoi që Agaçi të jetë në arrati, ndërsa sqaroi gjendjen e tij shëndetësore.

“Para disa kohësh u nis në Itali për arsye domethënëse shëndetësore. Kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes. Si pasojë e një bllokimi në arteriet koronare, për të cilën u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalesë dramatike pulmonare, me fjalë të tjera dalje të mushkërive nga funksioni. Gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar. Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ku për disa ditë mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se ai do të dilte nga situata e rëndë ai vazhdon të jetë në mbikëqyrjen e tyre”, shkruan Rama.

Kritikoi ashpër të gjithë ata zëra opozitarësh që e folën për Agaçin në këtë periudhë të vështirë shëndetësore për të.

“Është e hatashme që, megjithëse kryeministria ka bërë njoftim publik, mirë ca qimra e ca jargë të bufit në pasqyrën mediatike të folesë se tij, po i sëmuri që lufton për jetën andej, është bërë mish për qoftet e klubeve të natës, ekran më ekran këtu, vetëm e vetëm se u fut në gojën e mendertë të bufit të kënetës. Një katran me bojë i mirënjohur dhe famëkeq si shpifaraku më i madh që ka lindur toka shqiptare dhe si shkelësi më brutal në historinë e këtij vendi, i çdo zakoni, i çdo kanuni dhe i çdo norme njerëzore“.

Sipas kryeministrit, Ëngjëll Agaçi u kthye në Shqipëri me ftesë të tij për të shërbyer si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe i përket ajkës së juristëve shqiptarë, ndërsa është vlerësuar dhe me një medalje nderi nga presidenti i republikës italiane.

Klan News