Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar menjëherë pas akuzave për drogën të bëra nga Partia Demokratike. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, ministria e Brendshme thotë se, konsideron rezultat, kur kapet drogë duke bashkëpunuar me partnerët ndërsa Partia Demokratike konsideron rezultat kur nuk kapet asgjë.
Statusi i plotë:
REAGIM I MPB PËR DEKLARATËN E PD-së – 30 NËNTOR ’16
Ministria e Punëve të Brendshme konsideron rezultat, kur kapet drogë duke bashkëpunuar me partnerët. Partia Demokratike konsideron rezultat kur nuk kapet asgjë.
Nëse do gjente kohën për t’u hedhur qoftë edhe një sy deklaratave të partnerëve në fund të çdo operacioni të përbashkët kundër narkotikëve, zyrtari i PD-së do ta kishte më të lehtë të mos dilte në përfundime si këto të sotmet, që rezultatet e përbashkëta kundër trafikimit i numëroi si dobësi e punës së Policisë së Shtetit!
Në fakt këtë PD-ja nuk e ka për herë të parë. Në memorien e çdokujt janë deklaratat e opozitës që për çdo parcelë me kanabis të shkatërruar nga Policia, dilte në konferencë shtypi dhe fliste për lidhjet të strukturave policore me krimin.
Është një fakt i pamohueshëm që 3 vitet e fundit, niveli i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Policitë e vendeve partnere është në standarde të panjohura më herët.
Është ky bashkëpunim që ka dërguar para drejtësisë dhjetëra trafikantë narkotikësh, ka bërë të dështojnë shumë tentativa për dërgimin e lëndëve narkotike drejt vendeve të huaja, apo të sekuestrohen sasi të konsiderueshme droge.
Dhe janë rezultatet kundër paligjshmërisë, krimit të organizuar dhe veçanërisht kundër kultivimit të narkotikëve, që evidentohen si sukses në raportin e fundit të Komisionit Europian.
PD bën mirë të kuptojë se sukses është kur e kap drogën, siç po bëjmë bashkë me partnerët, e jo kur droga kalon pa e kapur njeri.
Ndaj lajmi që kapen trafikantë, është lajm i mirë, jo lajm i keq, si ato që kërkon të sajojë PD-ja.