Marrja e Damaskut nga pjesëtarët e ish-Frontit al-Nusra, e listuar nga ndërkombëtarët si organizatë terroriste me pikëpamje ekstremiste islamike, ngjalli frikën se Siria do të shndërrohej në një vend radikal ku do të zbatohej Sheriati, pas rënies së regjimit të Asadit.
Megjithatë, kreu i tyre Abu Mohamed al Golani që tashmë drejton militantët e reformuar në grupin Hajat Tahrir al-Sham po bën çmos të përmirësojë imazhin e organizatës dhe të fitojë mbështetje ndërkombëtare.
Udhëheqësi i ri “de Facto” i Sirisë është kujdesur për krijimin e një Ministrie për Mbrojtjen e Grave, që do të drejtohet nga një grua, Aisha al-Debs.
Al Golani do të jetë në krye të administratës tranzitore, që do të ketë një qeveri të drejtuar nga Mohamed Bashir dhe 14 ministra.
Të Dielën, Al Golani u shfaq për të parën herë me kostum gjatë pritjes në Damask, të ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan.
Vizita e kryediplomatit të Ankarasë interpretohet edhe si përfshirje e Sirisë në sferën e ndikimit turk në rajon, duke detyruar Iranin të tërhiqet.
Tv Klan