Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, u tha gazetarëve në ndërtesën e Kapitolit në Uashington se objektivi i ardhshëm i presidentit rus Vladimir Putin mund të jetë Ballkani Perëndimor. Deklarata paralajmëruese e udhëheqësit republikan të Kongresit Amerikan erdhi pasi ai vendosi që të përfshijë në votim të shtunën në mbrëmje paketën e ndihmës financiare në total 95 miliardë dollarësh e bllokuar që nga muaji dhjetor nga republikanët e destinuar kryesisht për Ukrainën dhe Izraelin.
“Ne do të mbrojnë aleatët dhe interesat amerikane në mbarë globin. E dimë se bota po na vëzhgon se si ne do të reagojmë. Unë mendoj se Putin do të vijojë të marshojë nëpër Evropë nëse nuk do të ndalej. Unë mendoj se ai fillimisht mund të ketë një përballje me Poloninë ose një nga aleatët tanë të NATO-s. Pas kësaj ai mund të sulmonte shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Johnson.
Nëse Kongresi Amerikan jep dritën jeshile për paketën e shpëtimit, Kievi do të siguronte rreth 61 miliardë dollarë, Tel Avivi 26.38 miliardë dollarë, ndërsa fondet e destinuara për Tajvanin arrijnë në 8.12 miliardë dollarë. 13.8 miliardë dollarë do t’i jepen Ukrainës për blerjen e armëve nga SHBA, ndaj Johnson tha se është më mirë që atje të dërgohen plumba, sesa djemtë amerikanë. Republikanët kanë kërkuar që ndihma financiare për Izraelin të votohet veçmas nga ajo për Ukrainën. Një pjesë e tyre e kanë kërcënuar kolegun e tyre Johnson për shkarkim nga detyra për këtë ndryshim kursi.
Ish-presidenti Donald Trump, i cili së fundi u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson në Mar-a-Lago, ka shprehur gatishmërinë për dhënien e ndihmës financiare për Ukrainën si hua dhe jo si një “dhuratë”. Presidenti Biden i dha mbështetje planit të Johnson për të ofruar fonde shtesë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
Klan News