Pema e Krishtlindjes u ndez nga mijëra drita shumëngjyrëshe mbrëmjen e së martës për herë të parë këtë sezon festash në Washington.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson, së bashku me anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, u mblodhën për të parë bredhin i cili erdhi nga Alaska dhe u vendos pranë ndërtesës së Kapitolit. Pema madhështore beri rreth 4700 milje për t’u sjellë në Washington.
“Dritat në këtë pemë simbolizojnë atë çfarë sjell kjo stinë. Drita e shpresës, e lumturisë, e gëzimit vjen në tryezat tona të rrethuara nga miqtë dhe familjarët. Drita e mirënjohjes vjen me reflektimin mbi bekimet e vitit që ka kaluar”, tha Johnson.
Pema do të ndriçohet çdo natë deri në ditët e para të Janarit. Rreth 100,000 vizitorë pritet të përjetojnë shkëlqimin e saj dhe të shijojnë atmosferën e festave të fundvitit.
Klan News