Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Efektiva të shumta të policisë së rendit kanë rrethuar pas orës 13:30 godinën ku ndodhet gazeta “Koha Jonë” dhe TV Koha, pas një njoftimi për vendosje bombe në ambientet e gazetës. Menjëherë janë nxjerrë nga godina gazetarët e “Koha Jonë” dhe stafi i televizionit duke ushtruar kontrolle në zyra. Pas 3 orë kontroll, alarmi për bombë ka rezultuar i rremë duke shtuar dyshimet e botuesit Lesi, se ky kontroll është përdorur për vendosjen e përgjuesve në zyrën e tij, apo për gjetjen e një materiali që ai disponon.

Alarmi dhe kontrolli për bombë vijnë një javë pas seancës parlamentare ku deputeti Lesi lexoi një procesverbal të përgjimit të një bisede mes kryeministrit Nano dhe Fehmi Abdiut, si dhe një ditë para marrjes në pyetje të Lesit nga prokurorë që po hetojnë ngjarjen.

Nikollë Lesi: “Unë nuk kam asnjë lloj konflikti përveçse me kryeministrin Fatos Nano, ky është konflikt politik nuk është konlikt privat, nuk mund të hedh asnjë akuzë për momentin pasi s’kam hyrë akoma në zyrë, Më bën përshtypje diçka që, ndofta nxitohem por që dot mundohem ta verifikoj, që jo nga policia, jo nga zoti Albert Dervishi, për të cilin besoj dhe ruj konsideratën, por ndoshta shërbime sekrete kanë hyrë brenda dhe kanë montuar përgjues në gazetën “Koha Jonë”.

Edhe kryeredaktori i “Koha Jonë” është shprehur se kontrolli në zyrat e redaksisë ka si qëllim punën e gazetës.

Edi Lesi: “Unë kërkova sqarime, sepse aty kam zyrën time, aty ushtroj detyrën time është si të thuash privatësia ime, doja të dija pse kanë hyrë në zyrën time, ça po bëjnë? I gjithë shpjegimi që japin është që ka një alarm për bombë, po se kush e ka dhënë këtë alarm këtë nuk e di. Mesa di unë, unë punoj prej kohësh këtu, nuk di të kemi ndonjë konflikt me njeri përveç problemeve që kemi me qeverinë.”

Pas tërheqjes së forcave policore të përfshira në kontrollin e godinës, ku alarmi për bombë rezultoi i rrem, botuesi Nikollë Lesi është shprehur se do të kërkojë ndihmën e ekspertëve të ndonjë ambasade të huaj për të verifikuar nëse në zyrën e tij është vendosur përgjues. Ndërsa drejtori i policisë Albert Dervishi është shprehur se kontrolli është kryer konform rregullave.

Albert Dervishi: “Ju deklarojë me përgjegjësi, që nga ana e punonjësve të policisë nuk ka asnjë send të kundraligjshëm në ambientet e redaksisë të gazetës “Koha Jonë”./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj