Trajneri i Shqipërisë U-21, në konferencë për shtyp, e cilësoi ndeshjen e muajit shtator me Zvicrën si një finale, në kualifikueset e Europianit.

Bushi deklaroi se ekipi do të synojë vetëm fitoren, ndërsa deklaroi se ka grumbulluar lojtarët më në formë të momentit.

“Jemi munduar të marrim lojtarët me më shumë minuta. Ndeshja me Zvicrën është si finale. Matematikisht jemi ende në lojë. Shkojmë vetëm për fitore në Zvicër. Ekipi është në formë shumë të mirë dhe kam marrë lojtarë të rinj, për t’i pasur gati për ndeshjet e radhës.

Kemi një pamje të qartë për Zvicrën, sepse jemi përballur më parë, kur humbm 1-3. Kanë ngelur 2 ndeshje për ne, 4 për Zvicrën. Duhet të shpresojmë deri në fund, sepse në futboll asnjë herë nuk i dihet. I ekmi shanse për ta mundur Zvicrën atje. Presioni është mbi ta, jo mbi ne. Nuk kemi pasur refuzime nga lojtarët. Jemi munduar të marrim lojtarët më të mirë. Nuk jam i kënaqur nga kampionati shqiptar, sepse nuk janë aktivizuar shumë të rinj.”

Pengu për Bushin, janë dy ndeshjet e fundit, me Finlandën dhe Malin e Zi, ku kuqezinjtë nuk morën dot fitoren.

“Ne sot duhet të kishim 15 pikë. Pengu është që nuk fituam me Finlandën këtu, që duhet ta fitonim dhe me Malin e Zi, ku ishim favoritë. Këto dy ndeshje na kanë dëmtuar shumë. Duhet ta kuptojnë lojtarët që ato 5 pikë duhet të ishin të tonat dhe kemi qenë afër kualifikimit. Nuk duhet ta ulim kokën asnjëherë, edhe përpara këtyre kundërshtarëve kaq të mëdhenj. Por mund të shkojmë 13 pikë pas kësaj ndeshjeje dhe pastaj e kemi me Armeninë këtu. Jemi ende në lojë.”

Shqipëria U-21, mban vendin e katërt në grupin E, me 10 pikë të grumbulluara, po aq sa Finlanda e vendit të tretë dhe 4 më pak se Zvicra kryesuese. /tvklan.al