Alban Xhihani thotë se priste më shumë sa i përket performancës së Kombëtares në Ligën e Kombeve, pas asaj që treguan në kualifikueset e Europianit.
Duke folur për dy ndeshjet e Shqipërisë, në “Klan News”, gazetari deklaroi se Çekia është një skuadër fizike, por shtoi se nuk i shikon më fizikë se Kombëtarja jonë, duke shtuar se janë më shtatlartë.
“Ne kemi vetëm një humbje me Silvinjon në Tiranën. Jemi mundur vetëm nga Gjeorgjia. Ne jemi paraqitur mirë në shtëpi, edhe falë tifozëve. Kjo tregon për drejtimin që kemi drejt rezultateve pozitive. Prisja më shumë në performancë, në krahasim me atë që treguam në kualifikuese. Kam pritur më shumë në performancë. Të tregojmë që jemi në rritje dhe t’i marrim maksimumin këtyre ndeshjeve. Ne dimë si fitohet ndaj Ukrainës. Dovbyk mungoi në ndeshjen e parë, por varet nga ndeshja e tyre me Gjeorgjinë. Nëse këta të fundit fitojnë, Ukraina nuk vjen me motivimin e duhur.
Çekia është një skuadër fizike. Nuk do bëjnë boks për aspektin fizik. Flasim për futboll. Unë mendoj se nuk është aspekti fizik më shumë sesa forma e futbollistëve. Nuk i shikoj më fizikë çekët. Janë më shtatlartë, po. Pres më shumë nga performanca e skuadrës. Nuk po them që nuk kemi qenë progresivë. Kombëtarja pas Europianit në vitin 2016, nuk kishte progres, por regres. Tani ndikon edhe grupi, sepse kundërshtarët në vlerësim janë më lart se ne. Nuk mund të them që ka regres, por rriten pritshmëritë tona. Nuk është rastësore që stadiumi mbushet plot për Gjeorgjinë dhe Ishujt Faroe. Silvinjo e ka bërë punën e tij shumë mirë mendoj. Gjithçka e vendos ai.
Me Ukrainën fituam dhe atë ditë bëri vetëm dy zëvendësime. Specialistët thanë që sa mirë bëri që nuk bëri zëvendësime. Nuk është se zëvendësimet duhet të bëhen me patjetër. Lojtarët janë të gatshëm të luajnë për 90 minuta. Zëvendësimet bëhen për t’i dhënë një shtysë tjetër ose rifreski”, tha ai.
Xhihani zgjodhi Hysajn para Balliut, kur u pyet për krahun e djathtë të mbrojtjes, për shkak të eksperiencës së shkodranit. Sipas tij, Shqipëria e ka bërë grupin e Ligës së Kombeve, që të duket i barabartë.
“Mes Balliut dhe Hysajt, do të zgjidhja Hysajn. Eksperienca e shkodranit është shumë e nevojshme. Hysaj ka bërë paraqitje shumë të mira nga Shtatori dhe këtej. Ka bërë vetëm stërvitje te Lazio dhe mezi pret të luajë 90 minuta. Në këto dy ndeshje, duhet të shfrytëzojmë eksperiencën. Po i afrohet rekordit të Canës dhe ka eksperiencën e tij.
Çekinë e njohim më mirë tani. Ky grup është interesant. Do isha kurioz nëse Ukraina do të fitonte ndaj Çekisë, do të ishin të gjithë me 6 pikë. Ne po e bëjmë të barabartë këtë grup. Çekia e ka menduar fitoren me Shqipërinë. Ukraina nuk e ka llogaritur Shqipërinë. Surprizat e bukura kanë qenë Gjeorgjia dhe Shqipëria. Kemi avantazhin që do të luajmë të dyja ndeshjet në shtëpi.
Fitorja me Çekinë është shumë e rëndësishme se shkojmë 9 pikë. Unë shikoj favorite Ukrainën ndaj Gjeorgjisë. Nëse e marrim fitoren në këtë ndeshje, mund të luajmë për barazim në ndeshjen e dytë. Unë jam gjithmonë besimplotë për Shqipërinë. Është e vetmja skuadër që më emocionon”, deklaroi Xhihani.
Ndeshja Shqipëri-Çeki, do të transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan.
/tvklan.al