Humbja e qetësisë në finalen e Kupës së Italisë ka sjellë pasojat e fundit për Massimiliano Allegrin. Pas një mbledhje të gjatë mes drejtuesve të klubit, Juventus ka vendosur që bashkëpunimi me teknikun 56-vjeçar të ndërpritet thuajse 1 vit para fundit të kontratës mes palëve.
Një zhvillim që sjell kështu divorcin e dytë mes palëve. Bashkëpunim që ka zgjatur në total për 8 vite të ndara në dy periudha të ndryshme. Tashmë prej 3 sezonesh në pankinën e bardhezinjve, Allegri largohet mes polemikash të shumta, ndoshta duke i mbyllur totalisht derën një rikthimi tjetër në Torino.
Allegri gjendet prej kohësh në qendër të kritikave, jo për shkak të stilit të lojës por për atë që bardhezinjtë kanë marrë në fushë. Vetëm 15 pikë të grumbulluara në 15 ndeshjet e fundit, duke rrezikuar edhe kualifikimin në Champion League shkaktuan pakënaqësi në ambientin torinez.
Tifozët vlerësojnë italianin, gjithsesi, e ardhmja mbetet ende një mister. Juventusi ka kontaktuar trajnerin e Bolonjës, Tiago Mota si pasues të Allegrit duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Ndërkaq, për dy duelet e fundit të kampionatit, bardhezinjtë do të drejtohen nga Paolo Montero, trajneri aktual i 19-vjeçarëve të Juventusit.
Klan News