Trajneri i Juventusit, Thiago Motta pret reagim nga skuadra e tij. Bardhezinjtë përballen këtë fundjavë me Caglari-n në transfertë, në një përballje ku fitorja është detyrim.
Motta deklaroi se zhgënjimi për eliminimin nga Champions League është i madh. Tekniku i “Zonjës së Vjetër” tha se tani i pret një ndeshje shumë e vështirë dhe synimi i vetëm është fitorja.
“Ne jemi të zhgënjyer, të trishtuar dhe të zemëruar, sepse donim kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Askush nuk është i lumtur për këtë situatë. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë tani është të rikthehemi në fushë me një fitore. Unë respektoj mendimet dhe kritikat, por vazhdoj në rrugën time që është e duhura.
Kemi një ndeshje të komplikuar ndaj Cagliarit. E njohim kundërshtarin dhe vështirësitë e fushës. Synimi ynë është të fitojmë, për të vazhduar rrugëtimin tonë.
Komunikimi është i njëjtë. Unë jam i pari që bëj autokritikë. Ndryshimet u bënë që të merrnim maksimumin në atë ndeshje. Zhgënjimi për eliminimin është i madh. Menduam se mund të kalonim mes 16 më të mirave. Në fushë PSV-ja bëri më mirë se ne. Tani kemi një javë të ngarkuar, duhet të bëjmë gjithçka për të fituar.
Në duhet të përmirësohemi në çdo aspekt të lojës. Duhet të kuptojmë se cila është gjëja e duhur, për të vënë kundërshtarin në vështirësi. Gjëja më e rëndësishme është fitorja dhe jo posedimi i topit. Futbolli i tillë është. Ndonjëherë kemi fituar kur kemi qenë superiorë, ndërsa disa herë nuk kemi fituar edhe kur kemi dominuar.
Ka kaluar shumë kohë që nga ndeshja e parë. Tani situata është ndryshe. Është e vështirë për të gjithë të luajmë në Sardenjë dhe ne i dimë vështirësitë që mund të kemi, por gjithashtu kemi besim se çfarë duhet të bëjmë për t’i hapur probleme kundërshtarit. Ne e respektojmë kundërshtarin, por duam të luajmë lojën tonë dhe ta fitojmë ndeshjen”, deklaroi Motta.
Ndeshja Cagliari-Juventus, do të luhet të Dielën duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al