Lajme Arkiva TV Klan 2001
Qytetarët amerikanë në të gjithë botën, janë këshilluar të jenë vigjilent për shkak të kërcënimeve të mundshme terroriste. Ka qenë këshilla e Departamentit Amerikan të Shtetit, pak ditë pasi në SHBA, filloi procesi kundër katër anëtarëve të rrjetit islamik të Osama Bin Laden, të akuzuar si autorët e atentateve ndaj ambasadave amerikane në Tanzani e Kenia, në Gushtin e ’98.
Sipas agjencive perëndimore të lajmeve një grup që ka lidhje me kryeterroristin islamik Osama Bin Laden, grup ky i vendosur në Ballkan, parashikon një atentat kundër selisë diplomatike amerikane në Itali. Për këtë arsye ambasada e SHBA-së, në Itali ishte e mbyllur sot për arsye sigurie dhe pritet të rihapet të martën e javës së ardhshme.
Burime zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë thanë për TV Klan, se kjo seli diplomatike nuk i ka shtuar masat e sigurisë, por as nuk e ka ulur numrin e personelit, por ata pranuan që kanë marrë këshilla sigurie nga Departamenti i Shtetit edhe për qytetarët amerikanë që ndodhen në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego