Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka ripërsëritur se SHBA-ja e dënon fuqishëm sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të vendit.

Pas takimit të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori u shpreh se në këtë pikë, Amerika nuk është në një pozicion të thotë se kush mund të fshihet prapa sulmit, njofton Klankosova.tv. Po ashtu, Hovenieri tha se SHBA po punojnë me institucionet e Kosovës për të gjetur përgjegjësit.

“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në një pozicion të tregojnë se kush mund të jetë prapa sulmit, është shumë herët. Ne i kemi ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës në hetime. Ne ende nuk e dimë se kush është fajtori”, tha ambasadori amerikan.

“Mendojmë se është e rëndësishme që ata të cilat janë përgjegjës, të identifikohen dhe mbahen përgjegjës. Këto akte të dhunshme janë të paafalshme dhe e vendosin Kosovën dhe qytetarët në rrezik”, tha ai.

Sulmi terrorist në Zubin Potok, konkretisht në kanalin e Ibër-Lepencit, ndodhi mbrëmjen e së premtes. Lidhur me rastin, një personi i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.