Pritet rikonfirmim i David Kostelancik
SHBA-të do të kenë ambasadorin e ri në Tiranë pas pothuajse një viti pritjeje që nga mbarimi i mandatit dhe largimi nga detyra e ish-ambasadores Yuri Kim. Senati amerikan ka thirrur sërish në dëgjesë me 16 Prill të emëruarin e presidentit Biden, David Kostelancik. Do të jetë kjo hera e dytë që Kostelancik do të paraqesë pikpamjet e tij për misionin në vendin tonë.
Ai u emërua fillimisht si ambasador i SHBA në Tiranë nga Presidenti i SHBA, Joe Biden në 24 Janar të 2023, por emërimi i tij u rikthye sërish në Shtëpinë e Bardhë pasi senati gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e zotit Kostelancik dhe të dhjetra të emëruarve të tjerë.
Një vit më parë gjatë seancës së konfirmimit, Kostrelancik u premtoi senatoreve se ai synonte forcimin e institucioneve demokratike dhe të drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare.
“Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Kostelancik. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, theksoi ai.
Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje për të ndërtuar një sistem kibernetik të qëndrueshëm.
Një përparësi e tretë, e Kostelancik ishte dhe besohet se do të jetë forcimi i klimës së biznesit. Interesat e Shteteve të Bashkuara, tha ai një vit më parë shërbehen përmes një tregu transparent Shqipëri.
Zoti Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike.
Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim e larguar nga vendi ynë me 25 qershor të vitit 2023. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.
Ambasada e SHBA-së drejtohet aktualisht nga i ngarkuari me punë David Wisner.
Klan News