Fabrizio Bucci, ambasadori i Italisë në Shqipëri, ka zbuluar bluzën që do të mbajë të veshur mbrëmjen e të shtunës kur të ndjekë ndeshjen Itali-Shqipëri në Kampionatin Europian.
Në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, ai ka zbuluar një bluzë të stampuar me dy duar të shtrënguara të flamurit italian dhe shqiptar. Një bluzë të tillë, ambasadori ia dhuroi Blendi Fevziut me emrin e tij të stampuar.
Këto bluza, ambasadori i Italisë dhe të gjithë italianët në Shqipëri do t’i mbajnë veshur në sheshin “Skënderbej” ku do të ndjekin sfidën.
Nga ana tjetër, edhe Blend Fevziu i dhuroi ambasadorit Bucci bluzën e kombëtares shqiptare me emrin e tij, një dhuratë e përgatitur nga Tv Klan.
Fabrizio Bucci: Kam edhe një surprizë për ty. Kjo është bluza që kemi stampuar për të shtunën në mbrëmje.
Blendi Fevziu: Kam përgatitur dhe unë një surprizë për ty. Kam një dhuratë për ambasadorin, doja t’ia jepja në fund. Televizioni Klan ka përgatitur një bluzë, bluzën zyrtare të ekipit kombëtar të Shqipërisë që do të luajë në Euro 2024, me emrin e ambasadorit. Surpriza me surprizë, nuk të lë avantazh.
/tvklan.al