Gjermania është një prej 7 investitorëve më të mëdhenj në ekonominë shqiptare, por ambasadorja gjermane thote se eksperienca e viteve të fundit ka lënë shije jo të mirë tek sipërmarrësit që ushtrojnë prej vitesh aktivitetin e tyre në Shqipëri. Në pritjen e organizuar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, Susanne Schutz foli për një klimë që shkon kundër pritshmërive që ngjalli vizita e Kancelares Merkel në vitin 2015 në Shqipëri.
“Investitorët dëshirojnë të dëgjojnë histori suksesi nga sipërmarrje, të cilat janë tashmë prezente në tregun shqiptar. Ajo çka kërkojnë investitorët në Shqipëri është: siguri ligjore, transparencë dhe një administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo të korruptuar. Për fat të keq, shpesh investitorët gjermanë dhe të huaj, të cilët kanë tashmë përvojë në tregun shqiptar, kanë shprehur kohët e fundit dyshime serioze dhe shqetësime të shtuara në lidhje me një mjedis jo “fair” dhe solid në sektorin e ekonomisë në Shqipëri”.
Ministrja e Financave Anila Denaj nënvizoi se qeveria shqiptare është e angazhuar fuqimisht në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, si dhe në mirëpritjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri.
“Rritja e eficencës së administratës tatimore dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet reformave në drejtim të konsolidimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim”.
Ndërsa Presidentja e shoqatës, Stephanie Sieg tha se lufta kundër korrupsionit, burokracisë dhe papunësisë duhet të jetë prioritet i përbashkët i qeverisë, biznesit dhe gjithë shoqërisë për të frenuar emigracionin e të rinjve.
Tv Klan