Asnjë nga vendet ku eksportohen prodhimet bujqësore shqiptare nuk i njeh analizat që kryhen në Shqipëri. Eksportuesit thonë se në pikat doganore, perimet u nënshtrohen analizave nga autoritetet e vendeve të destinacionit.
Tregtari: Në çdo doganë, maqedonase, bullgare na kontrollojnë dhe bëjnë analizat aty siç e kanë ata procedurën e tyre.
Gazetarja: Pasi nuk janë të besueshme analizat që sjellin nga Shqipëria dhe i bëjnë vetë?
Tregtari: I bëjnë vetë ata.
Eksportuesit janë të detyruar të kryejnë procedura shtesë nëpër doganat e vendeve të tjera, pasi garancia e autoriteteve shqiptare nuk është e besueshme. Për këtë arsye, prodhimet shqiptare tregtohen vetëm në disa nga vendet e rajonit, kryesisht në Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Dhe për shkak të mungesës së kontrollit, hyrja e perimeve shqiptare në tregjet e mëdha të vendeve të Bashkimit Europian është bllokuar.
Ja si shprehet një tjetër tregtarë: Ata duan një çertifikatë tjetër nga një kompani ose nga një agronom që ta ketë ndjekur produktin që nga mbjellja e deri tek vjelja.
Gazetarja: E kemi ne në Shqipëri?
Tregtari: Për momentin jo.
Për të mbrojtur konsumatorin, vendet e rajonit dhe veçanërisht ato të Bashkimit Europian kanë ngritur një sërë hallkash që garantojnë sigurinë ushqimore. Ndërsa në Shqipëri, prodhimet bujqësore përfundojnë nga fermat drejt e në tavolinat e konsumatorit, pa asnjë hallkë kontrolli. Në kushtet kur vetë fermerët pranojnë se përdorin kimikate e hormone mbi normat e lejuara, Ministria e Bujqësisë mjaftohet me kryerjen e disa analizave sporadike. Edhe ato nuk bëhen pranë tregjeve por në disa nga zyrat e Inspektoriatit Ushqimor Veterinar. Edhe ngritja e një laboratori në Lushnje sipas specialistëve të bujqësisë sherbeu më shume si shoë sesa për garantimin e cilësisë së produkteve bujqësore.
tvKlan