Gjermania luan nesër përballë Spanjës në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Euro 2024. Për këtë arsye, këtë të enjte në emisionin “Kampionët” në Tv Klan u mor në analizë trajneri Julian Nagelsmann. Arjan Peço është i mendimit që Gjermania ka fat që ka një trajner të madh si Nagelsmann.

“Pavarësisht se te Bayern pati probleme. Gjermanisë i duhej një trajner si Nagelsmann. Fati i madh që luhej në Gjermani. Fat i madh që Gjermania ka një trajner të madh si Nagelsmann”, tha Peço.

Sa i përket Alban Bushit është e vështirë për një trajner si Nagelsmann t’i hedhë idetë e tij ekipit kombëtar.

“Për t’i bërë këto në ekip kombëtar nuk ke shumë kohë. Është shumë e vështirë për të që idetë t’i hedhë tek ekipi kombëtar. Mendoj që do të bëjë mirë, por kam dhe frikën e eksperiencës sepse De la Fuente është më me eksperiencë sa i përket ndeshjeve ndërkombëtare. Është më ndryshe aty”, tha ai.

Edhe Edmond Kapllani është i mendimit që Nagelsmann është trajner i madh, por për nivel klubesh dhe jo për kombëtaren e Gjermanisë.

“Është fenomen që nuk mund të ndodhë shumë herë. Ai është trajner ekselent dhe detajist Ka pasur suportin shumë të fortë kur ka qenë te Hoffenheim. Ka pasur edhe suportin sepse një trajner do dhe personalitetin e duhur. Ai me ato detajet që ishte ka pasur dorë të lirë. Kishte atë që shkon në një ekip dhe zgjedh lojtarët e duhur. Vjen nga shkolla e Ragnick, ka marrë shumë nga shkolla e tij. Nuk është trajner për kombëtaren e Gjermanisë. E shoh më shumë trajner klubesh. E shoh si trajner që do kohën e duhur, filozofinë e duhur që skuadra të funksionojë. Ai e sheh që mbrojtja më e mirë është sulmi. E shoh që nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për Gjermaninë”, tha Kapllani./tvklan.al