Ish-futbollisti Andi Lila, foli në Klan News për Kombëtaren shqiptare, që këtë të martë përballet me Ukrainën.

Lila deklaroi se trajneri Silvinjo duhet të mendojë më shumë për sulmin, pasi sipas tij ndaj Çekisë u mendua vetëm për mbrojtjen.

“Silvinjo duhet të mendojë edhe për sulmin. Ndaj Çekisë, ishim një ekip që mendonim për fazën mbrojtëse. Kur u dëmtua Asani dhe u fut Seferi, Shqipëria u bë gati me 6 mbrojtës. Shumë pak minuta ndaj Çekisë, për Uzunin dhe Muçin. Duhet të kenë më shumë minuta.

Duhet të shikojmë se çafër do të hedhë në fushë Silvinjo. Nëse do të mendojë për barazimin, apo do të fusë Uzunin, Muçin apo edhe Arbër Hoxhën. Tuci nuk bëri ndeshje fantastike. Ishte gjithë kohën me kurriz nga porta. Në 25 minutat e para Çekia na dominoi në çdo aspekt.”

Ndër të tjera, Lila tha se Silvinjo nuk është brazilian sa i përket lojës, por tipik italian, pasi mendon si të mos pësojë dhe çfarë të dalë në sulm.  

“Shqipëria tani është një skuadër serioze. Nuk ka më skuadër që lejon Asanin të futet nga krahu dhe të gjuajë apo edhe Bajramin. Silvinjo duhet të fusë disa mekanizma të reja në fushë. Nuk e di çfarë do të bëjë Silvinjo me rikthimin e Gjimshitit, sepse Ismajli dhe Ajeti janë më të mirët momentalisht në Kombëtare.

Ramadani nuk është në formën më të mirë të mundshme, siç ishte vjet. Futbolli kështu e ka. Do doja shumë të shikoja edhe djem të rinj. Silvinjo nuk është një trajner brazilian, por është tipik italian. Detajist, që do të mbrohet. Dëshiron zero mbrapa dhe çfarë të kapë para”, deklaroi Lila.

Ndeshja Shqipëri-Ukrainë, do të transmetohet në Tv Klan.

/tvklan.al