Planet e Donald Tramp-it për të aneksuar Groenlandën, Kanadanë apo Kanalin e Panamasë po trazojnë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me aleatët. Por gjatë orëve te fundit, kundër kesaj ideje është shprehur edhe Sekretari në largim i Shtetit Antony Blinken.

“Ideja e shprehur për Groenlandën nuk është padyshim një e mirë, por ndoshta më e rëndësishme, është padyshim një që nuk do të ndodhë. Kështu që ndoshta nuk duhet të humbim shumë kohë duke folur për të”, deklaroi Blinken.

Ai foli nga Franca gjatë konferencës për mediat me homologun Jean-Noel Barrot. Ky i fundit ishte edhe më kritik ndaj idesë se Trump. Kryediplomati francez tha se ky kërcënim ishte një argument i fortë për nevojën e krijimit sa më shpejt të një ushtrie të mirfilltë europiane.

“Është territor europian. S’diskutohet që Bashkimi Europian të bëjë lëshime me kufijtë e vetë sovranë”, tha ai.

Më herët, të martën kryeministri kanadez Xhastin Trudo tha se nuk kishte asnjë mundësi që kjo të ndodhte, duke iu përgjigjur deklaratës së Trump-it se këtë do e arrinte me fuqi ekonimike, duke ndaluar importet nga Kanadaja dhe shpenzimet për mbrojtjen për këtë vend.

Klan News