Angli, Serbi, Letoni dhe Andorra. Këto janë skuadrat kundërshtare të Shqipërisë për kualifikueset e Botërorit 2026. Shorti i hedhur në Zyrih nga FIFA për kombëtaret e kontinentit europian, dhe i transmetuar ekskluzivisht në Klan News, e vendosi Shqipërinë në grupin K me 5 skuadra gjithsej.

Të parat kombëtare të shortuara ishin Anglia dhe Serbia si dy rivalet më të forta në letër për kuqezinjtë. Anglia për shkak të nivelit të skuadrës që ka, pretendimeve dhe historisë.

Për më tepër, britanikët kërkojnë me ngulm të fitojnë një turne madhor, objektiv që nuk mundën ta arrinin as në Europianin e Gjermanisë.

Nga ana tjetër, Serbia përfaqëson një kundërshtar të vështirë për shkak të historisë mes dy kombëtareve. 10 vite më parë, në Tetor të 2014, ndeshja u ndërpre dhe pati tensione në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Shqipëria e fitoi në tavolinë atë takim pas një kalvari të gjatë gjyqesh në gjykatat sportive.

Ndërsa dy kundërshtarët e tjerë të grupit K, Letonia dhe Andorra në letër janë skuadra të lehta, por përballjet më këto skuadra janë gjithnjë problematike për skuadrën kuqezi, duke sjellë surpriza herë pas here.

Me zgjerimin e garës në 48 ekipe, 16 vende të UEFA-s, nga 12 grupe do të kualifikohen për në finalet e turneut që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Tv Klan