Fitorja e Gjeorgjisë mbrëmë përballë Portugalisë bëri që nënkampionia në fuqi e Evropës, Anglia, të shmangi Holandën në ndeshjen e ardhshme.
Mbrojtësi Marc Guehi hodhi poshtë pretendimin se Anglia pati një short “të favorshëm” në Kampionatin Europian për përballjen me Sllovakinë .
Guehi: Unë mendoj se të gjithë e kanë parë se në këtë garë nuk ka një anë të favorshme të shortit. Çdo ekip, çdo kundërshtar është vërtet i vështirë për t’u përballur. Mendoj se duhet të qëndrojmë të qetë. Ne kemi vendosur presion mbi veten tonë, por jemi të qetë dhe të përqendruar dhe duhet të vazhdojmë që të fokusohemi. Mendoj se ajo që ndërton besimin është bashkimi, paraqitjet, fakti që nuk kemi humbur ende një ndeshje, gjë që është vërtet e rëndësishme. Të gjitha gjërat e tjera që nuk mund t’i kontrolloni vërtet. Mendoj se është e rëndësishme që thjesht të kontrollojmë atë që mund të kontrollojmë dhe kjo është të mbetemi të përqendruar dhe të merremi me çfarëdo pengese që na del përpara.”
Anglia i ka fituar të tri ndeshjet e para në fazë me eliminim direkt nën drejtimin e trajnerit aktual Southgate. Humbja e fundit në këtë fazë të një turneu të madh ndodhi tetë vjet më parë, në Euro 2016 kur “Tre Luanët” u mundën nga Islanda dhe atëherë në stol për anglezët ishte Roy Hodgson. Mediat britanike dhe opinioni sportive i druhet një vetëkënaqësie të skuadrës dhe kanë paralajmëruar për një “përsëritje” të ndeshjes ndaj Islandës 8 vite më parë.
Por mbrojtësi Marc Guehi tha se ekipi qëndron më këmbë në tokë dhe se kanë konsideratë për kundërshtarët sllovakë.
Guehi : Ne nuk kemi bërë ende ndonjë analizë për ta, por kemi parë ndeshjet dhe e dimë se janë një skuadër shumë e mirë. Ata kanë disa lojtarë vërtet të mirë në ekip, si Lobotka që luan tek Napoli. Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë, një kundërshtar i vështirë për t’u përballur. Por është e rëndësishme që ne thjesht duhet të jemi gati për ato sfida dhe të përballemi me çfarëdo intensiteti që sjellin.
Nëse Anglia humbet, pothuajse me siguri do të ishte ndeshja e fundit e Southgate në stolinë “Tre luanëve”. Por Guehi thotë se gjendja shpirtërore brenda kampit është shumë më optimiste dhe lavdëroi Southgate për punën që ka bërë.
Guehi: Ai ka qenë fantastik, Nëse shikoni rekordin e tij, ai flet vetë. Të gjithë janë pas trajnerit, kjo është e sigurt. Të gjithë e vlerësojnë atë, por veçanërisht unë, duke më dhënë mundësinë për debutimin tim për Anglinë dhe duke treguar kaq shumë besim tek unë. Unë jam vërtet mirënjohës dhe jam i sigurt se është dhe pjesa tjetër e skuadrës.
Anglia përballet të dielën në orën 18:00 me Sllovakinë në Veltins- Arena të Gelsenkirchen, ndeshje që do të transmetohet në TV Klan.