Në një lidhje telefonike në Skype për programin “Rudina”, në TV Klan ishte gazetarja Anita Haradinaj.Anita është bashkëshorte e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ata janë prindër të tre fëmijëve.
Ajo së bashku me familjen e saj është izoluar në shtëpi prej 5 ditësh, si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Haradinaj shprehet se fillimisht ka qenë mjaft e vështirë, qëndrimi gjatë gjithë kohës në shtëpi. Por një gjë që e ka bërë këto ditë dhe që nuk e ka bërë kurrë në jetën e saj, është se ka fjetur shumë herët dhe është zgjuar shumë herët.
Rudina Magjistari: Si është dita jote në kushtet e izolimit?
Anita Haradinaj: Tani ja morëm dorën pak, por si çdo fillim i vështirë të mësohesh, të rrish gjithë kohën në shtëpi. Edhe fëmijët janë pushim dhe bëhet pak rrëmujë me gjithë këta njerëz, domethënë shtëpia është e mbingarkuar në dallim nga ditët e tjera, ku secili ka obligimet e veta. Por ja kemi marrë dorën, unë një gjë e kam bërë këto ditë, që nuk e kam bërë kurrë në jetën time, domethënë kam fjetur shumë herët dhe jam zgjuar shumë herët. Dita ka filluar realisht nga ora 7 e mëngjesit, por normalisht me aktivitet e mia rutinore sportive, ato nuk i kam ndaluar dhe pastaj me punët e tjera. E mira e kësaj është që fëmijët kanë filluar mësimin online dhe tani kemi një obligim që të zgjohemi herët dhe ta mbajmë ritmin dhe orarin e jetës normale. Bëjnë mësime, bëjnë detyra, domethënë ta zëmë se janë në shkollë, se mbyllen në dhomat e tyre dhe ndjekin mësimet online. Ndërkohë që unë jam në shërbim të gjithë shtëpisë, me gatimet, me pastrimin./tvklan.al