Në fjalimin e tij të parë në Parlamentin Evropian si President i Këshillit Evropian, Antonio Costa u ndal tek marrëdhëniet me Donald Trump.
“Ne mezi presim që të punojmë ngushtë me administratën e re amerikane për të zhvilluar më tej një bashkëpunim ekonomik pozitiv dhe të drejtë si dhe për të punuar në realizimin e prioriteteve tona të përbashkëta për prosperitet dhe siguri, por ne natyrisht që do të mbrojmë interesat tona. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerët më të mëdhenj në tregti dhe investime reciproke. Është në interesin tonë që të vazhdojnë të nxisin marrëdhënie tregtare të qëndrueshme, të ekuilibruara dhe të parashikueshme”, tha Antonio Costa.
Costa u ndal edhe tek zgjerimi i BE-së me shtetet ballkanike.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj zgjerimit si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë, në kontinentin tonë. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia po punojnë shumë për të përmbushur angazhimet e tyre. Nuk ka dyshim se e ardhmja e këtyre vendeve është në Bashkimin Evropian. Është koha që ne t’i zbatojmë premtimet tona ashtu siç ata duhet që t’i përmbushin detyrimet e tyre”, tha Costa.
Costa riafirmoi mbështetjen për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshmepër një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme qe sipas tij duhet të jetë paqja e zgjedhur nga Ukraina dhe nga ukrainasit.
Në dallim nga administrata e re amerikane, Costa tha se Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar ndaj objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe Marrëveshjes së Parisit.
Klan News