Pas urdhrit për të shtuar orët e punës 8 në 12 orë në ditë, efektivët e Policisë nuk do të mund të bëjnë pushime gjatë verës.
Një urdhër i firmosur nga drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, prej kësaj të enjte, deri në 15 Shtator nuk do të lejohet asnjë pushim vjetor. Në dokumentin e siguruar nga Klan Nevvs, theksohet se drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit duhet të ri-planifikojnë kryerjen e pushimeve vjetore, për periudhën e mbetur deri në fund të vitit 2024.
Në vendimin që mban datën 18 Qershor, anulimi i pushimeve bëhet me qëllim përballimin e shërbimeve të planifikuara nga strukturat e Policisë së Shtetit për sezonin veror 2024.
Gjithashtu në urdhër evidentohet se në raste të veçanta për arsye të motivuara, drejtuesit e strukturave policore, duhet të miratojnë pushime të pjesshme vjetore për punonjësit e policisë të varësisë.
Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, drejtorive vendore të kufirit dhe migracionit, komisariateve të policisë dhe strukturave të veçanta.
Pak ditë më parë, në 14 Qershor, një tjetër urdhër i Muhamet Rrumbullakut ishte kalimi në shërbim me sistem 12 orësh të strukturave të Policisë së Shtetit me detyrë në zonat turistike/plazhe gjatë sezonit turistik veror 2024.
Ky vendim erdhi pas urdhrit tjetër të datës 5 Qershor, për zgjatjen e orarit jashtë kohës normale të punës dhe shërbimit.
Klan News