Marku e Mali mohojnë vrasjen e Hekuran Billës
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Viktor Marku dhe Sebastian Malin, të arrestuar për vrasjen e Hekuran Billës mbrëmjen e 11 Qershorit.
Të akuzuarit mohojnë lidhjet me ngjarjen, por gjykata nuk i mori parasysh. 34-vjeçari Marku akuzohet se është personi që ka ekzekutuar Billën, ndërsa nipi i tij, Sebastian Mali dyshohet se ka ndjekur lëvizjet e viktimës.
Sipas hetimeve, ka dyshime se 40-vjeçari Billa është vrarë për shkak të hakmarrjes, pasi në 2006 vrau në Angli Prelë Markun, vëllain e Viktor Markut. Ky i fundit ka mohuar të jetë ai autor i vrasjes, pasi ditën e ngjarjes ka qenë në Mal të Zi. Po kështu për këtë ngjarje qëndrojnë të arrestuar Adiola Lakra, e dashura e Hekuran Billës dhe Gjekson Pula.
26-vjeçarja Lakra, ka dyshime se është përdorur nga ish i dashuri i saj Sebastian Mali për ta nxjerrë në pritë Billën. Por e reja e ka mohuar akuzën.
Ndërkohë Gjekson Pula u arrestua pak ditë më parë në Shkodër, me dyshimin se ka transportuar me makinë Viktor Markun pas ekzekutimit, por edhe ai ka mohuar akuzën.
Tv Klan