23 mijë qytetarë shqiptarë po përdorin sot pasaportat e reja biometrike, një dokument që përbën kushtin themelor për të lëvizur pa viza në BE. Por numri i aplikuesve është 2 herë më i madh dhe është dyfishuar në krahasim me muajin Qershor. Në zyrat e aplikimit këtij procesi i janë nënshtruar gati 50 mijë qytetarë, nga 25 mijë që numëroheshin më 28 Qershor.
Armand Teliti: “Deri në datën 17 Korrik kanë aplikuar 49 mijë e 594 qytetarë shqiptarë, janë prodhuar dhe shpërndarë në stacionet e policisë 39 mijë e 700 pasaporta dhe kanë në duart e tyre sot 29 mijë e 394 qytetarë pasaportën e re. Vetëm datën 17 Korrik numri i aplikimeve ka qenë 1438, çfarë do të thotë që kemi kurbë rritëse të këtij numri.”
Për të përshpejtuar këtë proces, drejtoria e gjendjes civile ka përsëritur apelin që qytetarët të aplikojnë sa më shpejt, në mënyrë që të mos arrihet deri në nxjerrjen si të pavlefshme të pasaportave të vjetra. Gjatë një ditë mund të aplikojnë deri në 20 mijë persona dhe mund të prodhohen mbi 3 mijë pasaporta.
Armand Teliti: “Gjithë qytetarët shqiptar që kanë mundësi ta marrin një pasaportë është mirë ta kenë atë. Që në momentin që liberalizohen vizat ato të kenë dokumentin me të cilin mund të udhëtosh i lirë, sepse me pasaportat e vjetra normalisht nuk mund të ketë liberalizim vizash.”
Zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike, si dhe për kartat e identitetit, janë të hapura nga ora 8 deri në orën 16.30, nga e hëna në të premte./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami