Karta e identitetit do të marr fuqinë e saj të plotë më 1 janar të vitit 2010 , kohë kjo në të cilën certifikatat me fotografi nuk do të përdoren më nga asnjë institucion.
Drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile Armand Teliti, në një intervistë për televizionin Klan bën me dije se certifikatat do të përdoren deri në fund të vitit për personat mbi 16 vjeç.
Armand Teliti: “Unë do i ftoja të gjithë qytetarët shqiptarë që ta pajisen me dokumentin e identitetit, qofshin ata pa pasaportë apo me pasaportë. Pasi në fund të këtij viti në 31 Dhjetor të vitit 2009 certifikata me fotografi nuk do të ketë më vlerën e vet si dokument identifikimi.”
Pas nxjerrjes nga përdorimi i certifikatës me fotografi, radha i vjen pasaportës së vjetër, e cila që nga Janari i 2011 nuk do të jetë më e vlefshme për asnjë shtetas.
Armand Teliti: “Qytetarët shqiptarë duhet të pajisen me pasaporta biometrike. Pasaportat biometrike janë një kusht i domosdoshëm që ne të marrim vizat për në BE. Pasaporta aktuale do të jetë në fuqi deri në janar të vitit 2011. Çfarë bën të domosdoshme që qytetarët shqiptarë gradualisht me skadimin e vizave apo të pasaportave të vjetra të cilët ata i kanë nëpër duar ti rinovojnë ata dhe të marrin pasaportat e reja.”
Që prej fillimi të procesit të pajisjes së qytetarëve për karta identiteti, kanë aplikuar afro 1 milion e 500 mijë shtetas, ndërsa për sa i përket pasaportës biometrike janë pajisur me të rreth 25 mijë qytetarë shqiptarë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami