“Presidenti ka patur si qëllim pengimin e punës së KED”
Pas largimit nga Gjykata e Lartë dhe nga kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani i ka dërguar një letër nënkryetares së KED Vitore Tushës dhe anëtarëve të tjerë ku i kërkon të vijojnë punën me përshpejtimin e shqyrtimit të kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese.
Dvorani në letër bën një përmbledhje të konfliktit mes tij dhe Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili iu drejtua me kërkesë Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’u shprehur me vendim për mandatin e Dvoranit. Sipas Dvoranit, qëllimi i Presidentit ka qënë bllokimi i KED.
“Nisma antikushtetuese e Presidentit për të vënë në lëvizje KLGJ-në, vlerësoj se edhe kjo vonesë dhe zvarritje e pakuptimtë nga ana e KLGJ-së, nuk duhet të vijojë të sjellë vonesa të mëtejshme në realizimin e mbledhjeve dhe kryerjen e veprimtarive të KED, ndërkohë që prej shumë e shumë javësh relatimet lidhur me kandidaturat për dy vendeve vakante janë në pritje për shqyrtim në mbledhjen e KED”.
Kjo lëvizje e Presidentit të Republikës ka pasur si efekt ligjor të menjëhershëm pengimin e pezullimin e veprimtarisë së KED. Dvorani shpjegon se nuk e mblodhi KED gjatë kësaj kohë për shkak se çdo vendim i tij mund të ishte i atakueshëm në gjykatë nga kandidatët që kanë aplikuar për në Gjykatën Kushteteuse. Në reagimin e tij, Dvorani sulmon edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor i cili ende nuk ka zbardhur vendimin për të.
“Vlerësoj se edhe kjo vonesë dhe zvarritje e pakuptimtë nga ana e KLGJ-së, nuk duhet të vijojë të sjellë vonesa të mëtejshme në realizimin e mbledhjeve dhe kryerjen e veprimtarive të KED”.
Prej disa javësh relatimet lidhur me kandidaturat për dy vendeve vakante janë në pritje për shqyrtim në mbledhjen e KED. Dvorani kërkon që KED të vlerësojnë menjëherë të gjitha këto rrethana, dhe të kryejnë veprimet e nevojshme për njoftimin e kandidatëve lidhur me relacionet e përgatitura. Ai propozon që pas verifikimit të thirret mbledhja e KED me rend dite shqyrtimin e kandidaturave për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Tv Klan