Ardit Çuni është artisti, i cili nisi javën e katërt të konkurrimit në kategorinë “BIG” në Festivalin “Kënga Magjike” në Tv Klan. Ai numëron pjesëmarrjen e 8-të në festival, ku vlen të theksohet se ndër vite ka shënuar hite si “Qaj”, “Digju”, “Frymë” etj… Këtë edicion magjik, artisti vjen me një baladë dashurie, ndonëse e pamundur, si ajo e Diellit dhe Hënës.
Çuni është i njohur për natyrën pa komplekse, për debatet që ngjall dhe sigurisht për përgjigjet e drejtpërdrejta. Duke qenë se artisti udhëton shpesh gjatë vitit, pyetjet në pentagramin e tij kishin të bënin me udhëtimin me tren. I pyetur nga Ardit Gjebrea për ëndrrat e fëmijërisë, ai u përgjigj se një pjesë e tyre janë realizuar, por ende nuk ka arritur në destinacionin final.
Sigurisht duhet thënë se ku shkel këngëtari, nuk ka se si të mungojnë provokimet. Ndër vite ai nuk ka ndarë detaje, sa i përket dashurisë, por me sa duket këtë herë, zgjodhi të mos kursehej.
Pyetjes “Kë do prisje pa u mërzitur në një stacion treni dhe kë do kishe përcjellë nga jeta jote“, Ardit Çuni iu përgjigj “Do kisha pritur me orë të tëra mamanë dhe do kisha përcjellë atë“, duke lënë të nënkuptohet se këngëtari paska pasur një krisje në marrëdhënie.
Për më tepër ai shtoi se do ta mbushte vagonin me gjithë ish-partneret, madje edhe do t’ua paguante udhëtimin. Përtej çdo deklarate, me rëndësi është që kënga e tij, “Të du’”, do të jetë një motiv për shumë të dashuruar./tvklan.al