Të rinjtë e “Gjeneratës Alfa”, rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan i përshkruajnë miqësitë si shumë të rëndësishme për ta, si ato reale, edhe virtuale. Për një adoleshent, shoqëritë janë mjedisi ku mund të shprehin veten, përpiqen të përshtaten e të mësojnë diçka. Megjithatë, ata e pranojnë se jo gjithnjë prindërit bien dakord me miqësitë e tyre, çka është një pikë delikate ku të rriturit duhet t’i orientojnë fëmijët që mos të humbasin identitetin dhe vendimmarrjen.
Armand Peza ndan formën që ai dhe Marçela kanë zgjedhur për fëmijët e tyre që janë në moshën e adoleshencës. Metoda e “fishekut të vetëm” duket se ka dhënë rezultate deri më tani për të nxjerrë në pah miqësitë e gabuara. Ai madje merr si shembull Ardit Gjebrean duke “ia thënë” në sy moderatorit se “s’është shok i mirë”, por këtë herë metoda “s’funksionon”.
Ardit Gjebrea: Ka pasur ndonjë rast kur ndonjë shoqe apo shok i Kaltrës nuk të ka pëlqyer, apo i Jonit, djalit tënd?
Armand Peza: Është një çikë e vështirë për të dekonspiruar veten apo fëmijët e mi apo formulat me të cilat funksionojmë. Megjithatë, ne kemi një gjë që ka ardhur në heshtje midis nesh.
Ardit Gjebrea: Pyetja ime do të ishte që si duhet të veprojë një prind në momentin që nuk i pëlqen apo futet pak më thellë në historinë e familjes apo të personazhit, të shokut apo të shoqes në këtë rast që po shoqërohet fëmija?
Armand Peza: Ajo që kemi bërë ne, më shumë ime shoqe se sa unë, ajo është më shumë orë me ta, i kemi dëgjuar me vëmendje gjithë kohën dhe i kemi lënë që t’i nxjerrin vetë konkluzionet e tyre, duke i trysnuar shumë butë. Ne e konsiderojmë sikur kemi vetëm një fishek për të përdorur, për ta vrarë atë të keqen që është jashtë nesh dhe s’duhet ta shpërdorojmë, duhet gjetur edhe momenti, edhe mënyra sesi t’ia thuash që Arditi nuk është shok edhe aq i mirë.
Ardit Gjebrea: Nuk dhe shembullin më të mirë, por s’ka gjë.
Armand Peza: Tani ca të vërteta duhen thënë!/tvklan.al