Trupi i Kryepeshkopit Anastas është zhvendosur paraditen e së hënës nga Katedralja e Athinës për në Shqipëri. Arkmorti është përcjellë me nderime nën tingujt funebër në praninë e qindra qytetarëve të kryeqytetit grek.

Kortezhi me arkmortin e Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare pasi të kalojë në pikën kufitare të Kakavijës, do të ketë ndalesa në fshatrat minoritare greke.

Ndërkohë, gjatë së dielës në Katedralen Mitropolitane të Athinës klerikët shqiptarë mbajtën një shërbesë përshpirtjeje në gjuhën shqipe përpara trupit të ndjerë të Kryepeshkopit Anastas.

Pritja e trupit të Kryepeshkopit Anastas do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë të martën në orën 16:00.

Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales. Ndërsa, shërbesa e varrimit do të kryhet të enjten në Tiranë në orën 11:00.

Për këtë ceremoni kanë konfirmuar pjesëmarrjen Patriarku i Kishës Ortodokse Botërore Bartolomeo dhe delegacione të nivelit të lartë nga Vatikani.

Gjithashtu, sipas mediave greke në Tiranë do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Klan News