Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve dy herë në javë në rubrikën tashmë të nisur prej disa ditësh “Sy m’sy”. Në komunikimin e kësaj të marte ai u dha përgjigje kritikave për mënyrën se si do të funksionojë shteti bektashi.
“Bëhet fjalë për një entitet i cili nuk ka polici, nuk ka dogana, nuk ka taksa, pra në të gjitha aspektet i përgjigjet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë përsa i përket organizimit të përgjithshëm shtetëror”, tha Edi Rama.
Komentit të një qytetari i cili shprehet se “Janullatosi e rrëmbeu kishën ortodokse shqiptare, a është momenti të zgjidhet një kryepeshkop shqiptar”, Kryeministri iu përgjigj duke thënë se Kryepeshkopi i ka dhënë fund të gjitha hipotezave me amanetin e tij.
“Me amanetin e tij publik, kur ka thënë që pasardhësi im duhet dhe do të jetë një shqiptar, ku ka thënë që ne nuk kemi shkuar në Shqipëri për të ndërtuar një koloni por një Kishë Autoqefale dhe njësoj siç ne domethënë grekët nuk e përfytyrojmë dot në Greqi një kryepeshkop serb apo bullgar, si mund të përfytyrohet në Shqipëri, dikush tjetër përveçse një kryepeshkop shqiptar”, tha Rama.
Kryeministri u ndal dhe tek Reforma në Drejtësi. Pyetjes së një komentuesi se gjysmën e qeverisë e ka në burg, Rama iu përgjigj se PS ka treguar vullnet për t’i dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie të barabartë pavarësisht kostove.
“Kurrën e kurrës nuk do ndodhte kjo që po ndodh që drejtësia të çlirohet nga kthetrat e pushtetit politik të pavarësohet nga pushteti politik dhe të veprojë pavarësisht se cilës anë i përket njëri apo i përket tjetri. Një gjë është e sigurtë, që sot nuk ka më shumë korrupsion, sot ka më pak korrupsion”, tha Rama.
Duke perjashtuar Fatos Nanon, Rama tha se në historinë e shtetit shqiptar nuk ka patur një person të vetëm të lidhur me pushtetin politik që të jetë vendosur para një drejtësie të pavarur.
“S’po flasim për personazhe të lidhur me pushtetin politik në kohën e komunizmit apo për personat e e lidhur me pushtetin politik në kohën e demokracisë si kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili u dënua, ishte politikan, u dënua, por jo nga një gjykatë e pavarur, por nga një gjykatë politike”, tha Edi Rama.
Ndërsa sa i përket çështjes së kreut të PD-së Berisha me drejtësinë, Rama tha se nuk është problemi i tij.
“Ai bufi nuk janë problem im dhe ynë në aspektin ligjor, por janë problem i drejtësisë. Janë problem i imi dhe i yni në aspektin politik, janë problem i shqiptarëve që në 11 Maj do të dinë se si do ta trajtojnë këtë problem. Për këtë nuk kam pikën e dyshimit”, tha Rama.
Duke u sqaruar hapat se si duhet të regjistrohen përmes faqes së KQZ-së, Kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët jashtë vendit të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 Majit.
Klan News